Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë të ditur se ka vizituar sot fabrikën e njohur të dyshekëve, Comodita, në qytetin e Gjakovës.

Hovenier është fascinuar me punën që zhvillon, Comodita, si eksportuesi numër një i dyshekëve nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Eksporti numër 1 i Kosovës në SHBA, janë dyshekët: E përfundova ditën time me një turne në fabrikën Comodita, ku këta dyshekë fillojnë udhëtimin e tyre për në Shtetet e Bashkuara. Shembull i shkëlqyeshëm se si avancimi i bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, u sjell përfitim qytetarëve të të dy kombeve”, ka shkruar në Twitter i pari i SHBA-së në Kosovë.

 

Ambasadori amerikan është pritur nga aksionari i Devolli Corporation, Shkëlqim Devolli, me bashkëpunëtorë.

Devolli i ka treguar diplomatit amerikan rrugëtimin dhe planet për rritjen e vazhueshme të brendit të Comoditas përtej Atlantikut.

“I jemi falëmnderues ambasadorit Hovenier për respektin e treguar. Ne jemi shumë falëmnderues për mbështetjen që e kemi marrë nga dita e parë nga shteti amerikan dhe ambasada amerikane në Kosovë. Me këtë përkrahje amerikane ne ia kemi dalë që për një kohë shumë të shkurtër të bëhemi eksportuesit më të mëdhenj në Kosovë dhe bindshëm më të mëdhenjtë nga Kosova drejt SHBA-së. Ky rrugëtim yni i përbashkët do të shkojë duke u rritur dhe forcuar edhe në të ardhmen” është shprehur sipërmarrësi Devolli.

Devolli Corporation me njësitë e veta tash e disa vjet shpallet si punëdhënësi, tatimpaguesi dhe eksportuesi më i madh në Kosovë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *